Prindërit që kërkojnë shenjat e autizmit te fëmijët zakonisht nuk kërkojnë një diagnozë. Kërkojnë të kuptojnë nëse ajo që vërejnë ka rëndësi, dhe çfarë të bëjnë me të.
Ky shkrim është shkruar për atë pyetje. Nuk është listë kontrolli dhe nuk çon në asnjë përfundim — vlerësimi bëhet nga ekipe të specializuara, pas vëzhgimit të drejtpërdrejtë të fëmijës.
Ajo që mund të bëjë një shkrim është më e kufizuar dhe prapë e dobishme: t’ju ndihmojë të vëzhgoni me qetësi, të kuptoni pse asnjë shenjë e vetme nuk thotë asgjë vetë, dhe të dini ku çon hapi tjetër.
Shenjat më pak të njohura
Disa vëzhgime nuk përfshihen zakonisht në listat popullore, por prindërit i përmendin shpesh:
- Dëshirë e fortë për rregulla dhe rutina të pandryshuara, dhe shqetësim i madh kur ato ndryshojnë.
- Reagime të forta ndaj zhurmave, teksturave, dritës ose erërave — ose, e kundërta, mungesë reagimi ndaj tyre.
- Përsëritje e fjalëve ose frazave të dëgjuara, në kontekste ku nuk përshtaten.
- Vështirësi për të kuptuar shakatë, ironinë ose kuptimin e figurshëm te fëmijët më të rritur.
- Lojë e kufizuar ose shumë e përsëritur, me pak lojë imagjinare.
Çfarë ngatërrohet shpesh me autizmin
Kjo pjesë është po aq e rëndësishme sa lista e mësipërme, sepse shumë shqetësime qetësohen këtu.
- Vonesa në të folur nuk është autizëm. Ka shumë shpjegime për të, dhe në shumicën e rasteve nuk lidhet me autizmin.
- Ndrojtja nuk është autizëm. Një fëmijë që hesht me të huaj dhe flet lirshëm në shtëpi po tregon diçka tjetër.
- Të luash vetëm nuk është autizëm. Shumë fëmijë preferojnë lojën e pavarur në periudha të caktuara.
- Jo çdo fëmijë me autizëm nuk flet, dhe jo çdo fëmijë që nuk flet ka autizëm. Të dyja drejtimet e këtij keqkuptimi shkaktojnë shqetësim të panevojshëm.
Prandaj asnjë shenjë e vetme nuk mjafton. Ajo që shikohet është një tablo — disa vëzhgime së bashku, të qëndrueshme me kohë dhe në mjedise të ndryshme.
Një mënyrë tjetër zhvillimi, jo një sëmundje
Truri zhvillohet me ritme dhe rrugë të ndryshme. Disa fëmijë e përpunojnë botën ndryshe — dëgjojnë ndryshe, shohin ndryshe, i japin rëndësi gjërave të tjera.
Autizmi është një formë e këtij zhvillimi. Kjo nuk e bën më pak reale nevojën për mbështetje, por e ndryshon pyetjen: nga «si ta rregullojmë» te «si ta ndihmojmë këtë fëmijë të funksionojë, të komunikojë dhe të ndihet mirë».
Kjo dallim ka rëndësi praktike, sepse përcakton çfarë kërkojmë. Qëllimi nuk është që fëmija të bëhet dikush tjetër, por të ketë mjete për përditshmërinë e vet.
Pse mbështetja e hershme ka rëndësi
Vitet e para janë periudha kur truri është më i gatshëm të formojë lidhje të reja. Sa më herët të kuptohen nevojat e fëmijës, aq më e lehtë është që mbështetja të ndërtohet mbi atë që ai po zhvillon tani.
Mbështetja e hershme nuk kërkon një diagnozë për të filluar. Puna me komunikimin, ndërveprimin dhe vëmendjen është e dobishme pavarësisht se ku përfundon vlerësimi.
Kjo është arsyeja pse them shpesh se pritja për siguri kushton më shumë se një bisedë e hershme.
Si duket një vlerësim dhe si të përgatiteni
Frika nga vlerësimi e shtyn shpesh atë me muaj. Ndihmon të dihet çfarë përfshin realisht.
Një vlerësim nuk është një test i vetëm dhe nuk zgjidhet në një takim. Ai mbledh informacion nga disa burime: biseda me prindërit për historinë e zhvillimit, vëzhgim i drejtpërdrejtë i fëmijës gjatë lojës dhe ndërveprimit, dhe shpesh informacion nga kopshti ose shkolla.
Kontrolli i dëgjimit është pothuajse gjithmonë hapi i parë, sepse vështirësitë e dëgjimit prodhojnë tablo të ngjashme.
Çfarë ndihmon të keni gati:
- Kur i vuri re për herë të parë gjërat që ju shqetësojnë.
- Si komunikon fëmija kur do diçka — me fjalë, gjeste, duke ju tërhequr për dore.
- Si sillet me fëmijë të tjerë, dhe si ndryshon në mjedise të ndryshme.
- Video të shkurtra nga përditshmëria, nëse i keni. Ato tregojnë shpesh më shumë se përshkrimi.
Një diagnozë, kur vjen, nuk e ndryshon fëmijën. Ndryshon atë që ju kuptoni për të, dhe hap dyer drejt mbështetjes së duhur.
Çfarë të bëni nëse diçka ju shqetëson
Shënoni çfarë vëreni
Situata konkrete, jo përfundime. «Kur e thërras nga kuzhina nuk kthehet, por kthehet kur hapet dera» është shumë më e dobishme se «nuk dëgjon».
Kontrolloni dëgjimin
Ky është hapi i parë i arsyeshëm në çdo rast ku fëmija nuk reagon ndaj emrit.
Flisni me një profesionist
Një bisedë e hershme është e dobishme edhe kur përfundon me «gjithçka është në rregull» — sepse atëherë e dini.
Dhe një gjë të fundit, sepse e dëgjoj shpesh si frikë të pashprehur: kërkimi i një vlerësimi nuk i vendos fëmijës një etiketë që nuk e kishte. Ai mbetet i njëjti fëmijë para dhe pas. Ndryshon vetëm sa mirë e kuptojmë ne se çfarë i duhet — dhe sa herët mund t’ia japim.
Ku çon hapi tjetër
Puna ime nuk është diagnostikimi. Vlerësimi formal bëhet nga ekipe të specializuara, dhe kur ai nevojitet, roli im është t’ju orientoj drejt tij.
Ajo që bëj është mbështetja e zhvillimit: komunikimi, ndërveprimi dhe vëmendja, përmes aftësive sociale dhe emocionale ose stimulimit të hershëm për moshat e para. Për prindërit që kërkojnë orientim, ekziston edhe këshillimi për prindër.
Mund të lini një kërkesë duke përshkruar thjesht çfarë vëreni. Nuk ju kërkohet të dini emrin e asgjëje.
Të lidhura: fëmija nuk flet ende dhe shenjat që fëmija po e zhvillon gjuhën.
Pyetje të shpeshta
A do të thotë vonesa në të folur autizëm?
Jo. Vonesa në të folur ka shumë shpjegime dhe në shumicën e rasteve nuk lidhet me autizmin. Ajo që shikohet nuk është një shenjë e vetme, por si komunikon fëmija në tërësi.
Fëmija im shmang kontaktin me sy. A mjafton kjo?
Jo, një shenjë e vetme nuk mjafton për asnjë përfundim. Kontakti i kufizuar me sy mund të ketë arsye të ndryshme, përfshirë ndrojtjen ose thjesht përqendrimin në diçka tjetër.
Ku bëhet vlerësimi?
Vlerësimi formal bëhet nga ekipe të specializuara. Puna ime nuk është diagnostikimi, por mbështetja e zhvillimit dhe orientimi i familjes drejt hapit të duhur.
Një shënim i rëndësishëm
Ky shkrim është informues dhe përshkrues. Nuk është diagnozë, nuk zëvendëson një vlerësim individual dhe nuk përshkruan trajtim. Çdo fëmijë ka historinë e vet, prandaj pyetjet konkrete meritojnë një bisedë konkrete.


